Një 17-vjeçar tashmë në paraburgim – është akuzuar për vrasjen e tre vajzave të vogla – gjatë një sulmi me thikë në Southport, tha policia e Britanisë së Madhe, ndërsa ngjarja shkaktoi demonstrata në Londër.
Adoleshenti do të mbahet në paraburgim dhe do të paraqitet sot në Gjykatën e Magjistraturës në Liverpool, tha policia.
I riu ndodhet në paraburgim me dyshimin për vrasje dhe tentativë vrasjeje pas tërbimit të përgjakshëm të hënën në një “Taylor Swift yoga and dance workshop”, një ngjarje pushimi veror për fëmijët e moshës 6 deri në 11 vjeç në qytetin bregdetar anglez. Tri vajzat e vrarë ishin të moshës 6 deri në 9 vjeç.
Policia tha se personi i akuzuar nuk mund të përmendet për arsye ligjore – pasi ai është nën 18 vjeç.
Trazirat në Southport ndodhën të martën pas përhapjes së informacionit të rremë në mediat sociale – se i dyshuari që kishte sulmuar me thikë – ishte një emigrant radikal islamik.
Në Londër, mijëra njërëz u mblodhën dje pranë rezidencës së kryeministrit në Downing Street, duke thirrur “Shpëtoni fëmijët tanë”, “Ne duam sërish vendin tonë” dhe “Ndaloni anijet”.
Policia tha se sulmi nuk ishte i lidhur me terrorizmin – dhe se i dyshuari kishte lindur në Britani të Madhe, duke hedhur poshtë spekulimet për origjinën e tij.
Një numër i madh policësh të veshur me helmeta formuan një pengesë rreth protestuesve, të cilët më herët hodhën flakë dhe bombola tymi drejt Downing Street.
Më shumë se 100 persona u arrestuan në Londër.
Shpërthime të dhunshme kanë ndodhur në të gjithë Britaninë e Madhe, duke përfshirë trazira të dhunshme në Hartlepool, Mançester dhe Aldershot.
“Policia në Hartlepool u sulmua me raketa, shishe qelqi dhe vezë”, tha Autoriteto në Cleveland.
Një makinë policie u dogj gjatë dhunës – pasi një grup i madh njerëzish u mblodhën në zonën Murray Street të Hartlepool dje në mbrëmje.
“Në Mançester, një numër i madh demonstruesish dolën jashtë hotelit “Holiday Inn” në Oldham Road rreth orës 18:00″, raportoi “Manchester Evening News”.
Rreth 40 persona, mes të cilëve fëmijë dhe burra të veshur me kapuç, u mblodhën jashtë ambienteve të Oldham Road në atë që gazeta tha se “dukej si një qëndrim kundër azilkërkuesve që aktualisht strehohen në hotel”.
Në Londër, një protestë e madhe u organizua nën titullin “Mjaft është Mjaft”,ku demonstruesit u përleshën me oficerët në Whitehall.
“Mbi 100 njerëz janë arrestuar për shkelje, duke përfshirë akte të dhunshme, sulm ndaj një punonjësi të urgjencës dhe shkelje të rregullave të protestës. Disa oficerë pësuan lëndime të lehta”, tha Policia Metropolitane e Londrës.
Policia e Cleveland tha gjithashtu se kishte bërë tetë arrestime për vepra të ndryshme, duke përfshirë rendin publik dhe grindjet – pas shpërthimit të dhunës dje në Hartlepool – ku priten arrestime të tjera.
“Në këtë fazë – ne besojmë se protestat lidhen me incidentin në Southport – në fillim të kësaj jave”, tha kryeinspektori, David Sutherland.
Inspektori i komunitetit, Doug Chadwick tha se publiku ishte “i tronditur dhe i zhgënjyer” nga skenat “e turpshme” të trazirave dhe i bëri thirrje publikut të dilte me informacione për atë që kishte parë.
Pesë persona janë arrestuar për trazirat deri më tani, ku u plagosën 53 oficerë dhe tre qen policie.
Trazirat vijnë pasi një djalë 17-vjeçar është akuzuar për vrasjen e tre vajzave.
Alice Dasilva Aguiar, nëntë vjeç, Bebe King, gjashtë vjeç dhe Elsie Dot Stancombe, shtatë vjeç, u goditën për vdekje me thikë të hënën – kur një vrasës me thikë hyri në klasën e kërcimit në “Hart Street” në Southport, Merseyside.
Tetë fëmijë të tjerë pësuan plagë me thikë – pesë prej tyre në gjendje kritike – ndërsa dy të rritur gjithashtu u plagosën rëndë.


