Puna në kantierin e Unazës së Madhe të Tiranë po vijon pa ndërprerje
Aktualisht në “Sheshin Shqiponja-Urat mbi lumin Tiranë”, kanë përfunduar punimet e betonimit të nënstrukturave të betonit dhe paralelisht po punohet për montimin e strukturës metalike.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky projekt me rëndësi madhore për kryeqytetin.
Rama tha se Unaza e Madhe jo vetëm do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve, por do të ketë impakt dhe në ekonomi duke rritur vlerën e pronës, zhvillimin e bizneseve të reja dhe aksesueshmërinë me çdo portë hyrëse e dalëse për në Tiranë.
Unaza e Madhe e kryeqytetit me gjatësi mbi 27 kilometra lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do të bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut.
Në të gjitha zonat ku kalon, ky segment rrugor gjallëron jetën e komuniteteve dhe rrit vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve të komuniteteve.