Deputetet e Partisë Demokratike Ina Zhupa dhe Jorida Tabaku thanë se ndryshimet ligjore të miratuara këtë të enjte në Kuvend për “Zonat e Mbrojtura” shkelin direktivat e Bashkimit Evropian.
Sipas Zhupës, këto ndryshime ligjore heqin mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura.
“Sot në seancën plenare kaloi një ligj që është shkatërrimi i zonave të mbrojtura në Shqipëri. Heq mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura dhe i bën ato sheshe ndërtimi ku mund të kryhen investime strategjike sipas kontratave që do të firmosin. Është në kundërshtim me kapitujt që ne duhet të plotësojmë për të hapur procesin e negociatave me BE-në. Është një ligj me porosi dhe fakti që është një ligj me porosi duket te projekti i Divjakës. Sot nëse pret një pemë në pyll dënohesh. Nëse vret një kafshë të egër dënohesh, por nëse ti sot ndërton në mes të Zonave të Mbrojtura quhesh investitor strategjik”, u shpreh Zhupa.
Edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku në një deklaratë për mediet, theksoi se Brukseli po përgatit një notë proteste për vendin tonë.
“Unë di që qeverisë shqiptare është duke iu dërguar një notë proteste, se kapitulli për mjedisin është ndër më të vështirët. Kur vjen puna për të marrë akte për hapjen e negociatave, i shkel ato me dy këmbë. Me këtë ligj shkoi akoma edhe më tej, mos e shikoni lidhjen vetëm me mjedisin, shikojeni kryekëput korruptiv. BE do të vazhdojë përpjekjet, Shqipëria është një vend sovran, por kemi një detyrim nga procesi i integrimit. Është në shkelje të direktivave të BE dhe ligj korruptiv, do të japë leje për ndërtim në zona të mbrojtura”, bëri të ditur Tabaku.
Këtë të enjte Kuvendi miratoi me 77 vota pro, ndryshimet ligjore në ligjin për Zonat e Mbrojtura.


