Deputetët socialistë janë larguar nga ambienti ku do të mbahej Komisioni i Reformës Zgjedhore pasi deputetët e grupit parlamentar të PD-së ju kanë zënë karriget. Pas largimit nga salla, bashkëkryetari socialist i këtij komisioni, Gjiknuri është shprehur se këto janë akte vandale, teksa ka shtuar se të gjendet një mënyrë për të vijuar Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Damian Gjiknuri: Akte vandale, opozita duhet të jetë e para për të bërë Reformë Zgjedhore. Është zgjedhja e tyre.
Pyetje: A do ta mbani online?
Damian Gjiknuri: Do të njoftoheni për çdo gjë. Patjetër që reforma do të ecë përpara. Unë kam një mandat, siç ka edhe opozita, le të vijnë.
Para largimit nga salla, deputetët socialistë kanë pasur një përplasje me tone të larta me ato demokratë.
Bardhi dhe deputetët e tjerë të opozitës shkuan në ambientet ku do të mbahej Komisioni për Reformën Zgjedhore para se të niste orari zyrtar i zhvillimit të këtij komisioni me qëllim për të mos lejuar zhvillimin e tij. Deputetja Albana Vokshi i zuri vendin Damian Gjiknurit, ndërsa Lindita Metalikaj – Enkelejd Alibeajt.
Grupi parlamentar i PD është i vendosur për të mos njohur komisionin aktual të Reformës Zgjedhore, ku bashkëkryetarë janë Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj. Më herët, ata kanë kërkuar ndryshimin e përbërjes së komisionit, duke vendosur në krye Oerd Bylykbashin, kërkesë që u rrëzua në parlament nga mazhoranca.


