Zëdhënësja e Antikorrupsionit në grupin e Rithemelimit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli akuzoi sot Evis Berberin, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar se përdor detyrën shtetërore për të siguruar kontrata dhe para publike për kompaninë e tij private DAAM shpk.
“Ky subjekt tregtar është themeluar në tetor 2017 me emrin fillestar ‘B–VAAL ENG–10’ dhe, në tetor 2018, Berberi ia ka ndryshuar emrin në DAAM shpk. Berberi rezulton pronar me 100 për qind të kapitalit të firmës nga 14 shtatori 2018 deri më 31 janar 2019”, u shpreh ajo.
Sipas Vangjelit, në datën 31 Janar 2019 Evis Berberi shiti 100% të aksioneve të shoqërisë DAAM shpk kundrejt vlerës 500 mijë euro.
“Referuar kontratës së shitjes së kuotave, 8 mijë euro u paguan jashtë zyrës noteriale nga blerësi në favor të Evis Berberit, ndërsa pjesa tjetër do paguhej e ndarë në këste kundrejt vlerës 100 mijë euro për çdo vit.
Sipas saj, DAAM shpk ka përfituar nga dhjetori 2017 deri në qershor 2023, 202 milionë lekë fonde publike nga Bashkitë Tiranë, Prrenjas, Librazhd, Elbasan, Ersekë, Kamzë, Shijak, Lezhë, Pukë, Cërrik, Klos, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, INSTAT, Spitali Korçë, Universiteti Bujqësor etj
“21 pagesa nga këto më lart në vlerën 81 milionë lekë janë paguar në favor të kompanisë së Berberit gjatë kohës që ai rezulton zyrtarisht pronar i shoqërisë tregtare dhe njëkohësisht mban detyrë publike si drejtues”, theksoi ajo.
Sipas saj, “në asnjë nga formularët e vetëdeklarimit nuk ekziston asnjë e dhënë për deklarimin e shitjes së kompanisë Daam shpk, por vetëm të ardhura nga 4 lloje pagash, apartamente të blera nga kursime të familjes, 9204 m2 tokë arë në Fier në pronësi të bashkëshortes, të përfituara nga ligji 7501 sipas deklarimit si rezultat i trashëgimisë, apartamente të lëna me trashëgimi apo dhe nga kursimet familjare”.
“Fshehja e të ardhurave me qëllim pagimin e një detyrimi tatimor mbi 8 milionë lekë dënohet me burgim 4 deri 8 vjet sipas ligjit”, tha Vangjeli.


