DURRËS – Ka ndërruar jetë në reanimacion në spitalin e Durrësit, 73-vjeçarja e prekur nga koronavirusi duke shënuar viktimën e parë në Shqipëri nga COVID-19.
Gjendja e saj shëndetësorë u përkeqësua prej mbrëmjes së djeshme, aq sa e moshuara nuk mundi të përballojë as transportimin me autoambulancë drejt spitalit Infektiv në Tiranë. Report Tv transmetoi pamjet ekskluzive teksa mjekët me veshje mbrojtëse e futën gruan në ambulancë dhe vetëm pak minuta më pas e zbritën duke e rikthyer sërish në reanimacionin e spitalit të Durrësit.
Gruaja e moshuar 73-vjeçare, mbrëmjen e djeshme u dërgua nga infektivi i Durrësit në reanimacion pasi e kishte pasur tension të lartë 140/70. Gruaja ishte sëmurë kronike prej disa vitesh nën survejimin e mjekëve.
Mësohet se të gjithë mjekët, infermierët dhe personeli mjekësor që u kujdesën për zonjën në fjalë, iu nënshtrua testit për koronavirusin, dhe tamponët u dërguan në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkohë, 4 pjesëtarë të stafit mjekësor që kanë pasur kontakte më të ngushta me 73-vjeçaren, janë vendosur në vetëkarantinë.
Sakaq, në spitalin Infektiv të Tiranës në QSUT ndodhen babë e bir, dy të infektuarit e parë, 28 dhe 54 vjeç, dhe një 31 vjeçar që nuk kishte pasur kontakt me ta por që ishte kthyer pak ditë më parë nga Milano pas një vizite 1 ditore. Dy raste të reja u identifikuan gjatë 24 orëve me koronavirus, një person që ka pasur kontakt me pacientin zero dhe një 78-vjeçar nga Lushnja, të cilët ndodhen në vetëkarantinë nën mbikëqyrjen mjekësore. Gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar, thanë autoritetet shëndetësore.
Ndërkaq, edhe 8 të të infektuarit e tjerë, familjarë të babë e bir të cilët ndodhen të vetëkarantinuar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa simptoma.