Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj reagoi sot lidhur me vendimin e Komisionerit të KQZ-së, Ilirjan Celibashi për të mos regjistruar Partinë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit duke theksuar se “Celibashi është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD-ja të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit”.
Në një postim në rrjetet sociale Alibeaj tha se “sikundër e deklaroi dhe publikisht, Celibashi e ka të pamundur të ndajë opinionet dhe tifozerinë personale nga faktet juridike. Për pasojë, vendimi i tij e zgjat pa fund dhe pa arsye të qenësishme regjistrimin e PD.
Dukshëm, e madje deri në kufijtë e groteskut, komisioneri nisur vetëm për shërbim politik ndaj kundërshtarëve të PD, vendos ta përjashtojë nga zgjedhjet. Siç ndodhte këtu e 32 vjet më parë, kur ishte partia në pushtet ajo që lejonte ne zgjedhje vetëm satelitët e saj”.
Sipas tij, kjo marrëzi politike, si 32 vjet më parë, i ndodh sot Shqipërisë kur është vend i NATO-s dhe synon të jetë anëtar i BE-së.
“Megjithëkëtë e si përherë do të vijojmë rrugën ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD në 14 maj. Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese të pavarura kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë. Nuk do ia dalin”, tha Alibeaj.


