Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka apeluar vendimin e GJKKP-së lidhur me moshapjen e dosjes ‘Gërdeci’. Më 27 korrik, pas shqyrtimit të kërkesës së SPAK, gjyqtari Erjon Çela vendosi që të rrëzonte kërkesën e bërë me pretendimin se Prokuroria nuk kishte siguruar asnjë provë të re.
Pas vendimit, në një intervistë për “Zëri i Amerikës”, kreu i SPAK, Arben Kraja premtoi se çështjes do t’i shkonin deri në fund, por duke iu përmbajtur konizave ligjore.
SPAK kërkoi rigjykimin e Fatmir Mediut, pasi e akuzon si një nga ish zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.
Ishin prindërit e 7-vjeçarit, Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008-ës, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, të cilët i janë drejtuar me një letër zyrtarisht Gjykatës së Posaçme, ku i kërkonin pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut. Në letrën drejtuar GJKKO, familja Durdaj shprehej se dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit.


