Ish-Presidenti i Bolivisë, Evo Morales, tha se ai nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të jepte dorëheqjen në mënyrë që të shmangte përplasjet dhe vdekjet e mundshme pasi policia dhe ushtria iu bashkuan puçit.
Morales fitoi raundin e parë të zgjedhjeve më 20 tetor të vitit 2019, por dha dorëheqjen si rezultat i protestave të dhunshme të opozitës, rebelimit të policisë dhe thirrjes së ushtrisë për dorëheqjen e tij.
Ai zhvilloi një intervistë me Anadolu Agency (AA) në kryeqytetin argjentinas Buenos Aires, ku aktualisht gjendet si azilkërkues politik, duke përshkruar procesin e dorëheqjes si një grusht shteti.
“Nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të jepja dorëheqjen, në mënyrë që të parandaloj përplasjet dhe vdekjet e mundshme, pasi policia dhe ushtria u bashkuan me grushtin e shtetit”, tha ai, duke shtuar se procesi i dorëheqjes së tij u mbështet nga Shtetet e Bashkuara.
“Gjëja e parë që bëri presidenti amerikan Donald Trump ishte të uronte ushtrinë, sepse iu bashkua grushtit të shtetit. SHBA ishte vendi i parë që njohu puçisten dhe diktatoren (presidenten e përkohshme Yanin Anez)”, shtoi ai.
Në lidhje me ndërprerjen e numërimit të votave në raundin e parë të zgjedhjeve të 20 tetorit, Morales tha: “Më 20 tetor, nuk u ndalua numërimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, por numërimi i shpejtë. Ky nuk ishte problem i qeverisë, por i Gjykatës së Lartë Zgjedhore. Këtë gjë e përdorën si një justifikim për të bërë të kryer grusht shteti”.
Morales foli gjithashtu për akuzat në një raport të Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS) se ishte kryer mashtrim zgjedhor, duke thënë se në procesin zgjedhor nuk kishte asnjë mashtrim.
I pyetur nëse do të kthehej përsëri në Bolivi, Morales tha se kjo varet nga situata politike në vend.
Lidhur me kandidaturën e tij në Senat, Morales tha: “Juristët thonë se nuk ka asnjë pengesë për kandidaturën time. Por në Bolivi përsëri do të merren vendime politike që nuk janë të ligjshme”.
Morales theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk duan që ai të hyjë në parlament dhe se Washingtoni gjithmonë e ka refuzuar kandidaturën e tij.
“Ne kemi luftuar shumë dhe do të vazhdojmë të luftojmë”, tha ai.
Morales gjithashtu foli mbi planet e tij për të ardhmen.
“Së pari, dua të kthehem në Bolivi, ndërsa ende nuk kam plane më pastaj. Me zgjedhjet që fituam, desha të braktisja politikën pas mandatit 2020-2025. Por, ashtu siç më provokuan, unë do të vazhdoj të merrem me politikë. Do të merrem me politikë për të varfërit dhe të dobëtit”, theksoi ai.
“Unë dua të jem president me ndershmëri dhe sinqeritet, jo për para, por për vendin tim. Brezit të ri që dëshiron të përfshihet në politikë, i rekomandoj të marrin parasysh ndershmërinë dhe sinqeritetin dhe të mendojnë për atdheun dhe njerëzit, mbi të gjitha për të varfërit”, tha për AA ish-presidenti i Bolivisë, Evo Morales.


