Gjykata e Kurbinit ka lënë në burg Vranicki Hiskun, i cili u arrestua tre ditë më parë nga policia, pas zbulimit të një laboratori të kultivimit të bimëve narkotike brenda një magazine në Gjorm të Kurbinit.
Ndërkohë vijon të jetë në kërkim drejtori i Kadastrës së Kurbinit, Edmond Stojani, i cili arriti t’i shpetoje policise.
Referuar provave të paraqitura nga prokuroria, gjyqtari Olti Skrame e cilësoi të ligjshëm arrestimin e 24-vjeçarit, duke vendosur ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” me afat 45 ditë, deri në administrimin e rezultateve të ekspertimeve të vendosura për t’u kryer, të akteve lidhur me posedimin dhe përdorimin e vendit të ngjarjes, si dhe të akteve të pretenduara nga personi në hetim.
Stojani dhe Hisku në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Fushë Gjormë, Kurbin, kishin përshtatur katin e dytë të një magazine të marrë me qira, me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit të ambientit u gjetën dhe u sekuestruan 205 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa të kultivuara në vazo. Gjithashtu, gjatë kontrollit, në ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.


