19.5 C
Tirana

Presidenti Biden: Trump nuk duhet të marrë informacione zbulimi

Më datë:

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden nuk beson se paraardhësi i tij Donald Trump duhet të ketë qasje në informacionet e zbulimit për shkak të “sjelljes së tij të çorientuar” dhe shqetësimit se ai mund t’ua japë atë informacion të tjerëve, tha zoti Biden në një intervistë të premten.

“Mendoj se jo”, tha zoti Biden kur u pyet nga drejtuesja e emisionit CBS Evening News, Norah O’Donnell nëse ish-presidenti republikan Trump, duhet t’i merrte informimet e zbulimit.

Ish-presidentët amerikanë tradicionalisht kanë marrë disa informacione zbulimi edhe pasi kanë lënë detyrën.

Ish-presidenti Trump e denigronte shpesh komunitetin e zbulimit dhe nuk preferonte raportime të gjata për zbulimin gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Ai kishte vënë gjithashtu në pikëpyetje përfundimet e zbulimit amerikan sipas së cilave Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.

Zoti Biden tha se pikëpamja e tij se Trump nuk duhet të merrte njoftimet e zbulimit nuk ishte e lidhur me trazirat e Kapitolit.

“Për shkak të sjelljes së tij të çorientuar, pa lidhje me rebelimin”, tha zoti Biden, duke shpjeguar arsyetimin e tij.

I pyetur se cili do të ishte shqetësimi i tij më i madh nëse zoti Trump do të merrte informacion të tillë të klasifikuar sekret, zoti Biden nuk pranoi të hynte në hollësi.

“Do të preferoja të mos spekuloja me zë të lartë. Thjesht mendoj se nuk ka nevojë që ai të ketë informacione të tilla. Çfarë vlere ka t’i japësh atij një përmbledhje informacioni zbulimi? Çfarë ndikimi ka ai, përveç faktit se mund t’i rrëshqasë goja dhe të thotë diçka?”, tha presidenti Biden.

Shtëpia e Bardhë kishte thënë më parë se çështja ishte nën shqyrtim.

Për muaj me radhë pas zgjedhjeve, zoti Trump sfidoi rezultatin e tyre me ankesa në gjykata dhe duke bërë akuza të pabazuara për mashtrim të përhapur me votimet. Ai nuk mori pjesë në inaugurimin e zotit Biden më 20 janar, ku ishin të pranishëm ish-presidentë të tjerë të Shteteve të Bashkuara, duke zgjedhur të udhëtojë në Florida, ku është vendosur pas presidencës./VOA/

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Allushi: Bie lehtë niveli i Vjosës tek Ura e Mifolit, 10 familje të evakuuara

Në Novoselë të Vlorës ka filluar tërheqja e ujërave...

Prokuroria Fier sekuestron 15 prona e llogari bankare të dy vëllezërve të dënuar në Angli

Prokuroria e Fierit, sekuestroi 15 pasuri të luajtshme dhe...

Pezullim dhe bllokim pasaporte për Ballukun, GJKKO: Hetime për disa tendera në fokus

Gjykata së Posaçme për zëvendëskryeministren, Belinda Balluku, ndaj të...

Rama mbështet Ballukun pas pezullimit: Nuk do të ketë konflikte me drejtësinë

Pas konferencës së përbashkët me komisioneren e BE për...