Një zyrtar i Jemenit ka mohuar se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) i kanë dhënë fund pranisë së saj ushtarake në vend, transmeton (AA).
Kjo përgjigje vjen në një postim në rrjetet sociale nga nënsekretari i Ministrisë së Informacionit të qeverisë së Jemenit, Mohamed Gezan, i cili i bëri thirrje Abu Dhabit të ndalojë armatimin e milicive në jug të vendit.
“Bota është një fshat i vogël, falë medias dhe të gjithë e dinë se ju akoma jeni në Jemen. Tërhiqi ushtarët tuaj nga Socotra, Balhaf dhe Mayyun dhe ndaloni armatimin e milicive”, shkroi Gezan.

Gezan u bëri thirrje autoriteteve të EBA-s që të mbështesin sinqerisht legjitimitetin e qeverisë së Jemenit.
Më herët, ministri i Shtetit për Punë të Jashtme i EBA-së, Anwar Gargash, në rrjetet sociale shkroi se vendi i tij i kishte dhënë fund pranisë ushtarake në Jemen.
Zyrtarët jemenas në vazhdimësi akuzojnë EBA-në se synojnë të ndajnë Jemenin dhe të kontrollojnë pjesën e saj jugore duke i armatosur forcat paralele me qeverinë legjitime, në mënyrë që të kontrollojnë pasurinë e saj dhe të ndikojnë në portet vitale.
Abu Dhabi ka mohuar në mënyrë të përsëritur këto akuza, duke theksuar se prania ushtarake e saj ka për qëllim të mbështesë legjitimitetin e qeverisë së Jemenit përballë grupit rebel Huthi të mbështetur nga Irani.
EBA është partner i shquar i koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite, që në mars të vitit 2015 nisi një fushatë të gjerë në Jemen, në mbështetje të forcave pro-qeveritare kundër grupit Huthi.
Jemeni po kalon një luftë për të cilën Kombet e Bashkuara (OKB) thonë se ka marrë jetën e mbi 233 mijë personave, si dhe ka shkaktuar që 80 për qind e popullsisë prej rreth 30 milionë banorëve të vendit të varen nga ndihma për të mbijetuar në “krizën më të rëndë humanitare në botë”.


