Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zhvilluar sërish protestën e saj para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të shkojë në Kuvend dhe të vijojë procesi i konstituimit të institucioneve.
Këtë herë, përfaqësuesit e PDK-së janë mbështetur nga asamblistë, drejtorë dhe aktivistë të komunës së Mitrovicës. Në tubim janë parë gjithashtu edhe deputetë të Aleancës.
Deputetët e PDK-së prej disa ditësh po qëndrojnë për disa orë para hyrjes së objektit të Qeverisë, në shenjë kundërshtimi ndaj vazhdimit të ushtrimit të detyrës nga Kurti në këtë formë.
PDK kërkon që institucionet e Kosovës të funksionalizohen dhe procesi parlamentar të vijojë, duke e cilësuar situatën aktuale si një ngërç institucional që duhet të marrë fund.
Protestat para Qeverisë pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa përplasja politike mes PDK-së dhe Vetëvendosjes lidhur me funksionimin e institucioneve mbetet e hapur.


