Pak ditë pas incidentit të regjistruar në Zvërnec, iu është hequr licenca dy kompanive private të sigurisë, punonjësit e të cilave u filmuan duke dhunuar protestuesit që po kundërshtonin paqësisht kundër punimeve në zonë.
Lajmi është konfirmuar mëngjesin e kësaj të hëne nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila shkruan: “Iu hiqet licenca 2 subjekteve ShPSF ‘Myrto Security 1.3A’ dhe ShPSF ‘Major Security’.
Vijojnë intensivisht hetimet administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për hetimin e plotë me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive në lidhje me veprimet dhe mosveprimet përgjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026, në Portonovë, Zvërnec, si dhe për ligjshmërinë e subjekteve private për sigurinë fizike që janë kontraktuar nga pronari, për ruajtjen dhe sigurinë fizike të pronës në Portonovë, Zvërnec.”
Më tej Policia sqaron se sipas hetimeve të deritanishme, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet private, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje.
Shkeljet e konstatuara nga Policia:
-Subjekti ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes së personave dhe mjeteve në objekt. Nga ana e këtij subjekti nuk administrohej lista e personave dhe mjeteve që lejoheshin të hynin në objekt. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve, më datë 30.05.2026, janë lejuar të hyjnë në brendësi të rrethimit, persona të paidentifikuar dhe të panjohur nga personeli i shërbimit. Këta persona, gjatë tubimit, kanë ndërhyrë pa patur asnjë atribut ligjor dhe kanë goditur e tërhequr me forcë një shtetas pjesëmarrës në protestë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjithashtu, kanë reaguar kundër protestuesve me gurë dhe sende të tjera nga rrethimi i pronës.
-Ndaj këtyre shtetasve që kryen veprimet e dhunshme, punonjësit e ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kanë kryer asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre. Ndërsa punonjësi i licencuar i subjektit ShPSF “Major Security”, së bashku me dy persona të tjerë, të cilët u proceduan penalisht, dhe nga verifikimet rezultoi se dy të proceduarit nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga subjekti SHPSF “Major Security”, kryen veprime arbitrare duke shpërdoruar detyrën dhe në tejkalim të kompetencave, pasi goditi me grusht një prej protestuesve, e morën me forcë dhe e çuan në brendësi të rrethimit duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti. Hetimet penale dhe administrative vijojnë.
Incidenti i së shtunës, solli pezullimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Çela. Ndërsa ka nisur gjithashtu edhe hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë, në lidhje me masat dhe menaxhimin e tubimit të zhvilluar ditën e djeshme.
Ngjarjet ndodhën ndërsa po mbahej një protestë nga qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm, të cilët kundërshtojnë ndërhyrjen në zonën pranë lagunës së Nartës, pasi janë të shqetësuar se mund të ketë pasoja të mundshme mjedisore. Një protestues u pa në një video virale në rrjetet sociale duke u tërhequr zvarrë nga punonjës të kompanisë private të sigurisë, ndërsa u godit me grusht dhe njërri prej tyre.
Lidhur me përplasjet në Zvërnec, ditën e djeshme foli edhe kryeministri Edi Rama. Duke falenderuar Policinë për reagimin e shpejtë, ai njoftoi se paraditen e kësaj të hëne do të fliste për një projekt të jashtëzakonshëm, për të cilin nënvizoi se janë aluduar shumë të pavërteta.


