Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me presion të fortë politik brenda kampit republikan lidhur me mundësinë e një marrëveshjeje me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Trump deklaroi se nuk do të “nxitojë një marrëveshje”, duke theksuar se procesi kërkon kohë dhe kujdes për të shmangur gabime të rënda. “Nuk mund të bëjmë gabime”, u shpreh ai, ndërsa disa aleatë të tij republikanë paralajmëruan se një armëpushim apo marrëveshje e parakohshme mund të rezultojë “katastrofike”.
Sipas mediave amerikane, presidenti synon një riorganizim të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Iranit, madje edhe një normalizim të mundshëm mes Teheranit dhe Izraelit, duke e lidhur këtë me përfitime ekonomike dhe stabilitet rajonal.
Megjithatë, figura të rëndësishme republikane kanë dalë hapur kundër kësaj ideje. Senatori Roger Wicker, kryetar i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senat, deklaroi se një armëpushim 60-ditor me Iranin do të ishte “një katastrofë”, pasi sipas tij do të zhbënte rezultatet e operacioneve ushtarake amerikane.
Edhe senatorët Lindsey Graham, Ted Cruz, Tom Tillis dhe ish-sekretari i Shtetit Mike Pompeo kanë ngritur shqetësime se një marrëveshje mund të rrisë ndikimin e Iranit në rajon, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit.
Kritika kanë ardhur edhe nga demokratët. Senatorët Chris Van Hollen dhe Cory Booker paralajmëruan se zhbllokimi i fondeve iraniane jashtë vendit mund t’i japë Teheranit më shumë mundësi për të financuar grupet aleate në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, administrata amerikane këmbëngul se çdo lehtësim sanksionesh do të vijë vetëm në këmbim të hapave konkretë nga Irani. Zyrtarët amerikanë theksojnë se fondet e ngrira nuk do të zhbllokohen menjëherë, por vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.
Vetë Trump deklaroi se çdo marrëveshje e mundshme “nuk do të jetë si ajo e Obamës”, duke iu referuar marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, të cilën ai e ka kritikuar vazhdimisht.
Shtëpia e Bardhë po shqyrton një strategji me disa faza për negociatat, e ngjashme me qasjen e përdorur në konfliktin e Gazës, ku fillimisht synohet ndalimi i luftimeve dhe më pas zgjidhja e çështjeve më të ndërlikuara politike dhe ushtarake.


