Gjykata e Lezhës ka lënë në burg 28-vjeçarin A.F, i arrestuar pak ditë më parë në Mamurras gjatë një operacioni policor, më 19 maj, ku sipas autoriteteve ai shoqëronte një person të shpallur në kërkim dhe tentoi të largohej duke rrezikuar efektivët e policisë.
Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, gjyqtari Delvijot Lusha e konsideroi të ligjshëm arrestimin dhe pranoi kërkesën e organit të akuzës për caktimin e masës “Arrest në burg”.
28-vjeçari akuzohet për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si edhe për “Kundërshtim të punonjësit të Policisë së Shtetit”.
Ndërkohë, masa e sigurisë për të riun tjetër, L.D. është zhvilluar në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ai vijon të marrë trajtim mjekësor pas plagosjes gjatë ndërhyrjes së policisë.
Gjykata vendosi ndaj tij masën “Arrest në burg” me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Sipas autoriteteve, Dema rezulton i dënuar nga Gjykata e Trentos për veprën penale të “Tentativës së vrasjes”, parashikuar nga kodi penal italian.


