Starmer refuzon të largohet, Lammy: Do të vazhdojë betejën politike

Më datë:

Kryeministri britanik, Keir Starmer nuk do të vendosë një afat për largimin nga drejtimi i qeverisë, ndërsa do të vazhdojë betejën politike, deklaroi sot një nga aleatët e tij më besnikë në kabinet, duke i bërë thirrje Partisë Laburiste, të ndalë përçarjet e brendshme pas një jave tensionesh.

Në një paralajmërim të fortë ndaj kolegëve, zëvendëskryeministri David Lammy tha se partia në pushtet rrezikon të humbasë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme nëse vazhdon “vetëanaliza” dhe përplasjet e 10 ditëve të fundit.

Duke folur për mediet, Lammy konfirmoi se do të mbështesë “100%” kandidaturën e kryebashkiakut të Mançesterit të Madh, Andy Burnham, në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, të cilat ai duhet t’i fitojë për të hapur rrugën drejt një sfide për postin e kryeministrit.

“Dua të jem shumë i qartë, Keir Starmer mbetet njeriu më i qëndrueshëm që njoh. Fola me të dy herë dje. Ai ka forcë karakteri dhe përvojë në përballje. Nuk do të ketë afate. Ajo që ka rëndësi është vijimi i punës së qeverisë”, tha Lammy.

Ai pranoi se laburistët shënuan një “autogol spektakolar” pas humbjes së rëndë në zgjedhjet lokale, që rriti thirrjet për dorëheqjen e Starmer.

“Është koha të ndalojmë autogolat, të rikthehemi në fushë, të luajmë në drejtimin e duhur dhe të shënojmë për qytetarët britanikë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, debati për rikthimin e BM-së në Bashkimin Evropian është kthyer në një pikë të nxehtë mes rivalëve që synojnë të zëvendësojnë Starmer.

Lammy iu shmang pyetjes nëse mbështet ribashkimin me BE-në, duke theksuar se qeveria mbetet e përkushtuar ndaj linjave të kuqe të Brexit.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar, sinjalizoi se dëshiron rikthimin e Britanisë së Madhe në BE, ndërsa njoftoi kandidimin në garën për drejtimin e Partisë Laburiste.

Mbështetësit e Burnham e kritikuan këtë lëvizje, duke e konsideruar atë, një përpjekje për të dëmtuar fushatën e tij në Makerfield, një zonë që votoi për Brexit dhe ku partia “Reform UK” shihet si konkurrent i fortë.

Nga ana tjetër, ministrja e Kulturës, Lisa Nandy, kritikoi Streeting për vendosjen e çështjes së Evropës në qendër të fushatës për drejtimin e partisë.

Lideri i “Reform UK”, Nigel Farage, e sulmoi Burnham për qëndrimin pro rikthimit në BE, duke e lidhur me çështjen e emigracionit.

Sipas raportimeve, Starmer e kaloi fundjavën në rezidencën zyrtare në Chequers dhe po shqyrton privatisht nëse do të kandidojë përballë rivalëve, megjithëse publikisht ka deklaruar se do të qëndrojë në garë.

Lammy, i pyetur sërish për të ardhmen e kryeministrit, tha se Starmer ka qenë “plotësisht i qartë” se do të vazhdojë.

“Ai do të vazhdojë të luftojë në emër të popullit britanik dhe ka mbështetjen time të plotë”, deklaroi Lammy. 

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Malaj në Vlorë: Formalizimi i turizmit po sjell rritje pagash dhe të ardhurash

Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi këtë të hënë...

Tensionet në Lindjen e Mesme, Presidenti i Iranit: Po përballemi me sfida serioze

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka paralajmëruar zyrtarët që...

Baku, Zëvendëskryeministrja Koçiu merr pjesë në Forumin Botëror Urban 2026

Zëvendëskryeministrja  Albana Koçiu, ndodhet në Baku, Azerbajxhan, ku po...

Liria e medias në fokus: Ambasadori i OSBE vlerëson komunitetin mediatik në Shqipëri

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, theksoi gjatë...