Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) informoi sot mbi problematikat e raportuara në medie lidhur me qëndrueshmërinë dhe sigurinë e dy prej objekteve të projektit zhvillimor “Durrës Marina”.
Përmes një deklarate për shtyp, IKMT bëri të ditur se për të verifikuar situatën në terren u ngrit një grup i posaçëm inspektimi, i përbërë nga inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), inspektorë të IMT-së së Bashkisë Durrës, si dhe përfaqësues të Institutit të Ndërtimit.
“Në përfundim të inspektimit, raporti topografik i Institutit të Ndërtimit konfirmon se:
objekti 02, me fazë ndërtimore 1, 6, 7 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 28 cm; objekti 04, me fazë ndërtimore 1, 6, 7, 8 dhe 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë, ka pësuar ulje prej 18 cm”, thuhet në raportin e grupit të inspektimit.
Nisur nga këto konstatime, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese të projektit, duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projektpërforcimeve të nevojshme teknike, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e strukturave.
Ky projekt përforcimesh, përpara zbatimit, duhet të marrë miratimin nga autoritetet ligjore përgjegjëse për garantimin e respektimit të kushteve teknike të planifikimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit.
Duke falënderuar median për bashkëpunimin dhe kontributin e saj, IKMT garanton se në koordinim me institucionet e tjera shtetërore sipas fushës së përgjegjësisë, mbetet maksimalisht e angazhuar dhe do të mbikëqyrë në vijimësi zbatimin e përcaktimeve ligjore në kantieret e ndërtimit.


