Në Gjykatën e Posaçme janë paraqitur këtë të mërkurë Bashkim Rajku, babai i Rigels Rajkut, reperit të njohur me emrin artistik Noizy, dhe motra e tij. Ata janë thirrur si dëshmitarë në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiu.
Familjarët e Noizyt janë pjesë e listës me rreth 60 dëshmitarë të thirrur nga mbrojtja e Haxhiut, i cili po gjykohet si i dyshuar për drejtimin e një grupi kriminal të strukturuar, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me eksploziv dhe grabitje me armë.
Në dosjen hetimore përmenden edhe episode të ndryshme kriminale, përfshirë pretendime për porosi eksplozivi në lidhje me një lokal në pronësi të Noizyt.


