Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari siguroi sot se Policia e Shtetit prej kohësh ka marrë masa të shtuara sigurie në vendndodhjet që konsiderohen me rëndësi kritike.
Gjatë një konference për shtyp, Lamallari theksoi se lajmërimi i bërë nga ambasada e SHBA-së në Tiranë për situatën e sigurisë, është standard dhe është bërë edhe në vende të tjera të botës, përfshi edhe të Bashkimit Europian.
“Shqipëria prej disa kohësh ka marrë masat e nevojshme për vlerësimin e riskut. Të gjitha agjencitë ligjzbatuese, së bashku me partnerët ndërkombëtarë jo vetëm kanë bërë vlerësimin e riskut por edhe një plan masash lidhur me sigurinë publike në sheshe dhe vendndodhje me rëndësi kritike, pot edhe infrastrukturën kritike në tërësi”, tha Lamallari.
Sipas tij, “Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie shumë kohë më parë, duke marrë në konsideratë zhvillimet në Lindjen e Mesme”.
“Duke marrë parasysh reagimin publik të ambasadës së SHBA-së kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, përfshirë strukturat Antiterror dhe Policinë Kriminale për të më informuar lidhur me masat që kanë marrë dhe komunikimet që kanë pasur me përfaqësues të ambasadës”, tha ministri.
Nga komunikimi me përfaqësues të Zyrës së Sigurisë së Ambasadës, Lamallari theksoi se është konfirmuar se ky është një lajmërim standard që është bërë edhe në vende të tjera të botës, përfshi edhe të BE-së.
“Nga ana tjetër është vlerësuar angazhimi i Policisë Shqiptare dhe i Policisë së Shtetit për masat e shtuara që kanë marrë prej kohësh tashmë. Policia e Shtetit ka ngritur kapacitetet e nevojshme për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ndryshme që vijnë edhe në forma hibride”, shtoi ministri.
Sipas tij, bëhet fjalë edhe për kërcënimet që zhvillohen përmes dezinformimit në rrjetet sociale apo që përdoren për të ofruar destabilitet apo përshtypjen e një vendi të të pasigurt.
“Ky është dëmi më i madh që mund të bëhet pasi ne nuk kemi kohën dhe luksin të perceptohemi si vend i pasigurt. Kjo vjen nga lufta hibride ku janë të ekspozuara të gjitha vendet e BE-së, apo nga agjenda të caktuara politike që vënë politikën e ditës para çdo interesi kombëtar”, theksoi Lamallari.


