Në tregun vendas po vërehet një rritje e përgjithshme çmimesh, ku përveç shtrenjtimit të naftës, po rriten edhe çmimet e produkteve ushqimore. Kjo situatë lidhet kryesisht me kostot më të larta të furnizimit nga importi.
Gjatë muajit mars është shënuar një rritje e çmimit të vajit ushqimor me shumicë, si pasojë e shtrenjtimit të lëndëve djegëse që përdoren në përpunim dhe rritjes së tarifave të transportit. Në muajin shkurt, para zhvillimeve të fundit në tregjet ndërkombëtare, vaji i lulediellit tregtohej me shumicë rreth 176–178 lekë për litër. Më pas, nga java e tretë e marsit, çmimi u rrit me rreth 5 lekë për litër, duke arritur në 182–183 lekë.
Në vijim të këtij trendi, pritet një tjetër rritje prej rreth 7 lekësh për litër, duke e çuar çmimin me shumicë në rreth 190 lekë për litër.
Rritja e çmimeve lidhet me shtrenjtimin e produktit në tregjet e huaja, si dhe me kostot më të larta të transportit. Tarifat për transportin e një ton vaji janë rritur ndjeshëm, duke kaluar nga 140–160 dollarë në rreth 200 dollarë për ton, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar.
Një situatë e ngjashme është përjetuar edhe në vitin 2022, kur çmimi i vajit të lulediellit u rrit ndjeshëm për shkak të vështirësive në furnizim.
Në atë periudhë, çmimi në pakicë u rrit nga 249 lekë në 330 lekë për litër brenda një muaji, duke vijuar më tej deri në 370 lekë dhe duke arritur kulmin në rreth 400 lekë për litër në mesin e prillit.
Kjo situatë nxjerr në pah varësinë e lartë nga importi, pasi mungesa e prodhimit vendas e bën tregun më të ndjeshëm ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht, industria vendase e përpunimit të vajit është e fokusuar kryesisht në ambalazhimin e produktit të importuar, pa një zinxhir të plotë përpunimi brenda vendit.


