Sekretariati i Etikës i Kuvendit mblidhet sot në 9 mars për të shqyrtuar dy kërkesa të ndryshme për përjashtimin e deputetëve Taulant Balla, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pas një seance që u shndërrua në përplasje të ashpra verbale dhe fizike.
Sipas orarit të Sekretariatit, në orën 14:00 do të shqyrtohet kërkesa e Partisë Socialiste për ndëshkimin e Gazment Bardhit, ndërsa në orën 15:00 është radha e kërkesës së Partisë Demokratike për Taulant Ballën.
Kërkesa e PD-së lidhet me një koment të Ballës ndaj deputetes Albana Vokshi, ku ai përdori shprehje që opozita i konsideron të papranueshme, ofenduese dhe seksiste. Në dokumentin e PD thuhet se kreu i grupit parlamentar të PS “ka përdorur një gjuhë fyese dhe diskriminuese, duke cenuar rëndë dinjitetin e deputetes Vokshi”. Opozita kërkon përjashtimin e Ballës për 60 ditë nga punimet e Kuvendit.
Nga ana tjetër, PS kërkon 10 ditë përjashtim për Bardhin, për shkak të pengimit të seancës dhe përdorimit të gjuhës fyese gjatë debatit. Ndërsa për Klevis Balliun kërkohet 30 ditë përjashtim, për sjellje agresive dhe dëmtim të pajisjeve të sallës së Kuvendit. Balliu, sipas raportimeve, shkuli mikrofonin dhe tentoi të godiste Ballën, duke e bërë situatën edhe më të tensionuar.
Nëse Sekretariati i Etikës miraton këto kërkesa, tre deputetët nuk do të jenë të pranishëm në seancën e 12 marsit, ku do të votohet mbi raportet e PS dhe PD për kërkesën e SPAK lidhur me arrestimin apo jo të ish-zv kryeministres Belinda Balluku.


