Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin u mblodh sot për të vijuar mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëkryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, për Belinda Ballukun.
Mbledhja nisi me debate, pasi opozita tha se mazhoranca prej më shumë se dy muajsh po zvarrit kërkesën e SPAK.
“Keni penguar për 2 muaj drejtësinë, keni shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren”, është shprehur kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi.
Gjithashtu Bardhi kërkoi që mbledhja të zhvillohet e hapur për publikun dhe të lejohen mediet.
“Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura dhe nuk ka asnjë arsye që kjo mbledhje të mbahet me dyer të mbyllura. Ju zoti Kryetar keni detyrimin që ta hidhni këtë në votim”, është shprehur Bardhi.
Prokuroria e Posaçme përfaqësohet nga tre prokurorë në mbledhje, kreu i SPAK, Klodian Braho dhe dy prokurorët që po hetojnë Ballukun, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera për Tunelin e Llogorasë, ndërsa ndaj saj GJKKO ka caktuar dy masa sigurie atë të pezullimit nga detyra si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zëvendëskryeministre, si dhe ndalimin e daljes jashtë vendit.


