Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rolin e Mirlinda Karçanajt në drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKShI), e cila dha dorëheqjen pak ditë më parë pasi është vendosur nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë prezantimit të drejtorit të ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa, kryeministri Rama u ndal te kontributi i drejtueses paraardhëse të kësaj Agjencie, Mirlinda Karçanaj.
Rama shprehu falënderimet për Mirlinda Karçanajn, ndërsa u shpreh se e njeh si një nga njerëzit më të përkushtuar ndaj funksionit dhe shërbimit publik në këtë vend.
Kryeministri bëri të ditur se ka punuar me Karçanajn për më shumë se dy dekada, qysh kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.
“Linda ka qenë gjithnjë e para që vinte në punë dhe e fundit që largohej nga puna. Jam i pikëlluar për gjithçka ajo po kalon, në radhë të parë për agresionin barbar të portaleve dhe të rrjeteve të dhunës verbale, që e asociojnë me gjëra të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Lindën”, u shpreh Rama.
Por, Kryeministri theksoi se nuk do të hyjë në meritën e çështjes në fjalë dhe nuk ka dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e atyre kompanive të përfshira në një hetim.
“Por unë kam dijeni për faktin që Linda është nënë e vetme me dy fëmijë, ka një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik. Kam dijeni për faktin se me të gjithë partnerët dhe AKShI ka partnerë të nivelit të lartë, sepse janë të mëdhenjtë e teknologjisë, Microsoft, Oracle e me radhë, unë kam dëgjuar fjalët më entuziaste dhe mbresat më të jashtëzakonshme për ju, për stafin tuaj edhe për Linda Karçanajn”, tha Rama.
Po ashtu Rama tha se Linda Karçanaj nuk ka absolutisht asnjë jetë posaçërisht të shtrenjtë, por ka jetuar për shumë vite në shtëpinë e prindërve dhe ka pasur një pasion shumë të madh për punën.
“I them të gjitha këto në respekt të një personi që për faktin se ndodhet sot në një kalvar nga ku unë dua të besoj me gjithë zemër që do të dalë e pastër, por në të gjitha rastet nuk më takon mua ta them këtë gjë, i takon drejtësisë. Por kjo nuk do të thotë që t’i hidhen poshtë vlerat që ka krijuar dhe t’i hidhet poshtë revolucioni që ka udhëhequr së bashku me të gjithë ju”, shtoi Rama.
Kryeministri vlerësoi se ekipi i AKShI-t është një nga asetet më të rëndësishme të Shqipërisë, ndërsa shprehu keqardhjen për ata që janë vënë nën presion.
“Jam i keqardhur për ata ndër ju që janë keqtrajtuar, abuzuar dhe përballur me metoda shtrëngimi të pajustifikueshme në një republikë demokratike”, tha Rama.


