Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvillohet sot, 2 shkurt, seanca paraprake në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë.
Në seancat e kaluara, GJKKO-ja vendosi të mbyllë shqyrtimin duke e konsideruar si abuzive kërkesën e avokatëve dhe mungesë vullneti për të paraqitur prapësimet. Po ashtu, rrëzoi kërkesën e avokates së vendosur kryesisht të Veliajt që të merrte kohë për t’u njohur me aktet dhe lejen që ta takonte klientin e saj në burg.
Ndërkohë një ditë më parë, GJKKO-ja rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e dy prokurorëve të çështjes, Altin Dumani dhe Ols Dado se masa duhet të vazhdojë pasi provat mund të manipulohen.
Çështja e masës së sigurisë ndaj Veliajt është duke u shqyrtuar ndërkohë edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Veliaj ndodhet në qeli prej pothuajse një viti. Ai u arrestua më 10 shkurt të vitit 2025, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Edhe në Gjykatën Kushtetuese, ai kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.


