Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me shtyrjen e mbledhjes së sotme 28 janar të Këshillit të Mandateve, e cila duhej të shqyrtonte kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Bardhi thekson se kjo shtyrje nuk është thjesht një vonesë administrative, por një strategji e qëllimshme për të penguar hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. “Zvarritja Kuvend-Kushtetuese është strategji për të bllokuar SPAK-un”, shkruan Bardhi, duke u shprehur se vonesat janë pjesë e një operacioni të koordinuar politik për të mbrojtur korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit.
Sipas tij, qeveria dhe mazhoranca socialiste, së bashku me kryeministrin Edi Rama, po përdorin shtyrjen si një mekanizëm mbrojtës për Ballukun. “Mazhoranca socialiste dhe Edi Rama kanë zgjedhur zvarritjen si mekanizëm mbrojtës për Belinda Ballukun. Të njëjtën strategji ka ndjekur edhe Gjykata Kushtetuese, e cila dje shtyu pa afat vendimmarrjen për të pandehurën Belinda Balluku”, thekson Bardhi.
Ai shton se shtyrjet nga Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese janë pjesë e një “zinxhiri mbrojtës” të komanduar politikisht nga kryeministri. “Si shtyrja nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe shtyrja nga Kuvendi janë hallka të të njëjtit zinxhir mbrojtës, i komanduar politikisht nga Edi Rama”, shkruan Bardhi.


