Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg se zgjedhjet në Shqipëri po shkatërrohen nga dy fenomene madhore: partia-shtet dhe narkoshteti.
Në fjalën e mbajtur, Berisha u shpreh se ndryshe nga zgjedhjet e lira që i shërbejnë shtetit të së drejtës, farsa zgjedhore prodhon efektin e kundërt.
“Mendoj se çështja e zgjedhjeve në krizë, por edhe jashtë krizës, ka si pyetje më themelore këtë: a kemi zgjedhje apo një farsë zgjedhore. Zgjedhjet i shërbejnë shtetit të së drejtës; farsa zgjedhore ka efektin e kundërt. Unë dënoj fuqishëm ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vendeve të tjera, por jam këtu gjithashtu për të denoncuar dy faktorë të tjerë madhorë që mund t’i shkatërrojnë zgjedhjet. Njëri prej tyre është shteti-parti ose partia-shtet, ashtu siç u tha këtu nga vëzhguesit, se në Shqipëri zgjedhjet u zhvilluan në klimën e një partie-shtet”, tha ai.
Sipas tij, krimi i organizuar ka shndërruar drogën në vota dhe votat në mbrojtje politike. “28 deputetë kanë hyrë në parlament të mbështetur nga kartelët më të fuqishëm të drogës. Pas kësaj, atyre iu dhanë 450 leje për hotele, motele, ndërtime dhe resorte turistike. Më pas, mandatet e tyre u përdorën për të bllokuar tërësisht Prokurorinë”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së ka folur edhe për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres duke u shprehur se Kryeministri Rama bllokoi dhe nuk lejon iniciativën e Prokurorisë.


