Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali prezantoi me pika përmbajtjen, ndërsa ftoi deputetët që të votojnë, duke theksuar se për projektligjin janë marrë opinionet e disa ministrive të ndryshme, si Ministria e Drejtësisë, e Financave, e Mbrojtjes, e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe nga Ministria e Brendshme, për zbatimin e kësaj marrëveshje.
“Ky partneritet mbetet shtylla kryesore e politikës së jashtme dhe garanci për orientimin euroatlantik të vendit. Nga pikëpamja ligjore dhe kushtetuese, ky projektligj është në përputhje me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe me ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare. Karta e Bordit të Paqes parashikon që asnjë shtet nuk është i detyruar të marrë pjesë në misione pa pëlqimin e tyre dhe se sovraniteti kombëtar mbetet i paprekur”, u shpreh Spiropali.
Teksa prezantoi disa nga krerët që përmban karta e Bordit të Paqes, Spiropali theksoi se “shtetet mund të përfaqësohen në Bord nga kreu i shtetit ose kreu i qeverisë. Çdo shtet anëtar ka një mandat trevjeçar, subjekt i rinovimit nga kryetari i Bordit të Paqes”.
Sa i përket projektligjit, ajo shtoi se “në këtë fazë, projektligji nuk sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Kontributet do të jenë vullnetare dhe do të planifikohen në mënyrë transparente në buxhetin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, sipas standardeve buxhetore afatmesme. Akti është hartuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bazë të informacioneve të sjella nga ambasada e Shqipërisë në Uashington”.
Më herët Kuvendi miratoi në seancën plenare, me 80 vota pro dhe 22 vota kundër, kërkesën për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se me miratimin e kërkesës për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar u vendos që projektligji të diskutohet dhe të miratohet brenda kësaj seance plenare.
Pas miratimit të pr.ligjit nga Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, në orën 12:00 pritet të rifillojë seanca plenare për diskutimin dhe miratimin e tij.
Projektligji synon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes. Këshilli i Ministrave e ka miratuar në parim marrëveshjen më 21 janar.
Marrëveshja parashikon krijimin e Bordit të Paqes si një organizatë ndërkombëtare me personalitet ligjor ndërkombëtar, me qëllim promovimin e stabilitetit, rivendosjen e një qeverisjeje të besueshme dhe të ligjshme, si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti.
Bordi i Paqes do të ushtrojë funksione të ndërtimit të paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me këtë Kartë, duke përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira për t’u zbatuar nga të gjitha shtetet dhe komunitetet që kërkojnë paqe.
Seanca plenare u kërkua pasditen e djeshme nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, përmes një shkrese zyrtare, për ratifikimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes për pranimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.


