Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në seancën plenare të Kuvendit, ku po shqyrtohet miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, se Kuvendi po mblidhet për të ratifikuar një akt vullneti të mirë në shërbim të paqes.
“Sot ky Kuvend mblidhet për të ratifikuar një akt të vullnetit të mirë, të cilin Shqipërisë, në radhë të parë kësaj shumice qeverisëse në emër të këtij vendi dhe sigurisht krejt Kuvendit, kur dhe nëse është e mundur, i takon ta bëjë sa herë vjen në tryezë tema e paqes, çdo mundësi për të kontribuuar për paqen”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se shumica qeverisëse ka qenë për tre mandate radhazi një promotore e paqes në rajon, edhe në raste kur kjo qasje është keqkuptuar apo etiketuar negativisht.
“Ne, shumica kuvendore e Shqipërisë, për tre mandate të plota me radhë, e kemi bërë vendin zëdhënës dhe punëtor të paqes në këtë rajon të trazuar, edhe kur kjo është dukur apo është komentuar deri edhe si tradhti. Një etiketë që, në fakt, ka qenë një provë vendimtare e paqedashjes për shumëkënd që ka punuar për paqen në historinë e kësaj bote”, tha kryeministri.
Rama nënvizoi se Shqipëria ka përfaqësuar angazhimin për paqen edhe në nivele të larta ndërkombëtare.
“Ne e kemi çuar Shqipërinë e përkushtuar ndaj paqes deri në krye të OSBE-së dhe në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kemi nderuar flamurin dhe kombin shqiptar”, deklaroi ai.
Duke bërë një krahasim me të kaluarën, Rama tha se një dekadë më parë Shqipëria perceptohej ndërkombëtarisht kryesisht për lajme negative.
“Një dekadë më parë, ky vend ishte një ishull që dilte në radarët e botës vetëm për lajme të këqija dhe shqiptarët në botë shiheshin si përfaqësues të atij ishulli, të veshur me të zeza nga mediat ndërkombëtare, një pjesë të vërteta dhe një pjesë të pavërteta”, u shpreh Rama.
Sipas tij, sot Shqipëria është një realitet krejt tjetër.
“Sot, ai ishull ku numëroheshin si turistë edhe deputetët e Kuvendit apo vetë kryeministri sa herë kthehej nga jashtë shtetit, është një Shqipëri tjetër: një destinacion me 12 milionë turistë, me aeroportin me rritjen më të lartë të numrit të pasagjerëve në Europë dhe, për të disatin vit radhazi, i pari në rajon, duke lënë në vend të dytë Beogradin, aeroportin historik të Ballkanit Perëndimor”, tha Rama.


