Policia ka finalizuar operacionin antidrogë të koduar “Black Scale” në Gjirokastër, duke sekuestruar rreth 51 kg kanabis sativa, të ndarë në 48 pako, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin drejt Greqisë.
Në pranga ka rënë 30-vjeçari N. P., banues në fshatin Rusan, Delvinë, i cili transportonte lëndën narkotike të fshehur në një hapësirë të improvizuar tek shasia e automjetit tip Nissan.
Policia identifikoi edhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë të 30-vjeçarit, të cilët i ka shpallur në kërkim. Njëri prej tyre është vëllai i të arrestuarit, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kanë pasur role organizatore dhe ndihmëse.
Gjatë operacionit, përveç lëndës narkotike, u sekuestruan automjeti tip Nissan dhe tre celularë të të arrestuarit. Hetimet vazhdojnë për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë të përfshirëve.


