Policia e Shkodrës ka zbuluar një tjetër “shtëpi bari”, kësaj radhe të vendosur në Velipojë. Policia ka arrestuar një 22-vjeçar, i cili kishte marrë një banesë me qira aty dhe e kishte përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave.
Në prangat e policisë ra dhe një punonjës i OSHEE-së ndërsa dy të tjerë u proceduan penalisht për shpërdorim detyre.
“Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Gj. B., 22 vjeç, banues në Laç, Vau i Dejës. Në vijim të operacionit u ndalua edhe shtetasi R. V., 25 vjeç, banues në Shkodër, dhe nisi procedimi penal për shtetasit A. U., 50 vjeç, dhe Gj. T., 59 vjeç, të dy banues në Velipojë dhe punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi policia.
Nga kontrollet në “shtëpinë e barit” u sekuestruan 208 bimë narkotike, 85 gramë lëndë të tharë kanabis, 122 pajisje elektrike për kultivimin e drogës dhe katër celularë.
“Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit R. V., u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 llamba dhe një përforcues grushti”, njoftoi policia.
Sipas autoriteteve kjo ishte faza e katërt e operacionit “Neonët” duke zbuluar deri më tani shtatë ambiente që përdoren për qëllime të tilla.


