15.5 C
Tirana

Osmani bisedon me zëvendëssekretarin Landau për sigurinë, dialogun strategjik e çështje të tjera

Më datë:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar të hënën në Uashington me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, për një sërë çështjesh, përfshirë një ligj të nënshkruar së voni nga presidenti amerikan Donald Trump, gjendjen e sigurisë në rajon dhe shtyrjen përpara të dialogut të pezulluar strategjik mes dy vendeve, tha Presidenca e Kosovës.

Në një Akt për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, që u miratua u nënshkrua në ligj nga Trump, javën e kaluar, Kosovës dhe Serbisë gjithashtu u kërkohet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2023.

Osmani gjithashtu ia shprehu atij “mirënjohjen e popullit të Kosovës” për mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për vizionin e presidentit Donald Trump që dialogu të bazohet në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.

“Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidentja shprehi mirënjohje ndaj politikës së qartë të Administratës Trump që dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke dhe për faktin që janë përjashtuar idetë e rrezikshme për ndryshime të kufijve apo ndarje. Kjo qasje, shtoi ajo, është e domosdoshme, në mënyrë që të ruhet paqja e stabiliteti në rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Osmani dhe Landau folën edhe për dialogun strategjik, të cilin SHBA e pezulloi më herët këtë vit për kohë të pacaktuar.

Pezullimi ndodhi pasi Uashingtoni shprehu shqetësime lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës, kryesisht për ta shtrirë sovranitetin në veriun e banuar me shumicë serbe pa bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka arsyetuar këto veprime si hapa drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri dhe ka thënë se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Osmani e cilësoi dialogun strategjik mes dy vendeve si “platformë thelbësore” për forcimin e partneritetit dypalësh dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

Ky ishte takimi i dytë i Osmanit me Landaun këtë vit, pasi ata ishin takuar në verë për të diskutuar fushat potenciale për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve në të ardhmen.

Ajo pati përmendur se dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.

Osmani është takuar përgjatë vitit edhe me zyrtarë të lartë amerikanë, në margjina të samiteve të ndryshme, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Lirohen 4 protestuesit/Noka: Jo ata, por Rama është destabilizuesi i vetëm i Shqipërisë!

Gjykata e Apelit e Tiranës ka liruar katër protestuesit...

Kosovë, shtyhet seanca gjyqësore për rastin e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit

Seanca fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në rastin...

Akuza për korrupsion dhe pastrim parash, kalon për gjykim dosja e kardiologut Edvin Prifti

Dosja penale ndaj mjekut kardiolog Edvin Prifti ka kaluar...

U arrestuan në tubimin kombëtar të PD! Lirohen 4 protestuesit, gjykata cakton “detyrim paraqitje”

Katër protestues të Partisë Demokratike, të arrestuar gjatë protestës...