Është shtyrë për në datën 12 dhjetor seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Datë kur do të shohim nëse çështja kalon ose jo për gjykim.
Raportohet se shkak është bërë fakti se avokatët nuk kanë bërë mbrojtjen për Veliajn, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe dy persona të tjerë që janë nën hetim.
Veliaj nuk ishte sot, 5 dhjetor, prezent në sallë, ndryshe nga hera e shkuar.
“Deri në këtë moment unë nuk jam njohur asnjëherë, as për një ditë, as për një faqe, me përmbajtjen e dosjes penale që numëron rreth 60 mijë faqe. USB-ja që prokuroria i ka përcjellë avokatëve të mi nuk mund të më dorëzohet ligjërisht, sepse rregullorja e paraburgimit ndalon përdorimin e çdo pajisjeje elektronike.
Ky nuk është një kufizim i rastësishëm: është një pamundësi objektive, e cila e bën formal çdo pretendim se ‘dosja më është vënë në dispozicion“, deklaroi Veliaj
Ai ngriti shqetësime edhe për mënyrën e trajtimit të tij, duke theksuar se vendosja në kafaz para trupit gjykues është një masë poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit ka kërkuar këtë të premte pushim të çështjes.
Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit. Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend.


