Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj drejtoi mbledhjen e radhës të Këshillit të Investimeve, ku u prezantuan pritshmëritë e biznesit mbi digjitalizimin e shërbimeve vendore.
Në takim u prezantuan po ashtu edhe gjetjet e anketës 2015–2025 mbi klimën e investimeve me fokus ndërveprimin me administratën tatimore dhe sfidat e futjes në tregun e përbashkët, si edhe sugjerimet mbi planin e punës së Këshillit për vitin 2026.
Ministrja shprehu angazhimin maksimal të MEI për plotësimin e detyrave veçanërisht procesin e përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së në fushën e ekonomisë dhe mbështetjes së biznesit.
“Janë kritere, standarde, kërkesa, që do të duhet të zbatohen nga biznesi shqiptar, ekonomia shqiptare, dhe kjo paraqet një sfidë të madhe për sa i përket të gjithëve ju, të gjithëve ne. Por ama paraqet edhe një mundësi të madhe”, tha Ibrahimaj.
Ministrja nënvizoi disa çështje gjatë mbledhjes, si rëndësinë e unifikimit dhe modernizimit të shërbimeve vendore dhe nevojën për transparencë të lartë, vendosjen e treguesve të matshëm dhe koordinim të qëndrueshëm qendror dhe vendor.
Po ashtu ajo u ndal te angazhimi për përmirësimin e mjedisit fiskal dhe rritja e besimit të biznesit.
Ndërkohë që në prioritetet kryesore për vitin 2026, ministrja Ibrahimaj nënvizoi digjitalizimin e shërbimeve vendore; forcimin e administratës tatimore; mbështetjen për SME-të në procesin e tranzicionit europian; si dhe miratimin e rekomandimeve të Këshillit të Investimeve si bazë e punës për vitin 2026.
Ministria gjithashtu informoi mbi disa iniciativa të ndërmarra nga MEI në drejtim të formalizimit, informimit më sistematik dhe rikonfirmoi angazhimin për të vijuar reformat që rrisin transparencën, ulin kostot për bizneset dhe nxisin një klimë investimi më moderne, më konkurruese dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Europian.
Në këtë takim mori pjesë dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, që vlerësoi se digjitalizimi i shërbimeve nga bashkitë do të sjellë një përmirësim të shërbimeve të tyre për sipërmarrjen dhe qytetarët, edhe pse është një proces që kërkon kohë.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve qëndrore, vendore, përfaqësues të biznesit vendas dhe te huaj që zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik në vendin tonë.
Digjitalizimi i shërbimeve vendore
Analiza e zhvilluar me pjesëmarrjen e 166 bizneseve dhe bashkive tregon se panorama e aksesit te biznesit në shërbimet digjitale vendore mbetet e fragmentuar dhe jo e unifikuar me shërbimet qendrore, ndërsa bashkitë përballen me kapacitete të kufizuara teknike dhe mungesë treguesish të qartë performance.
Bizneset mbeten pozitiv kundrejt digitalizimit e integrimit por kërkojnë thjeshtim dhe standardizim të shërbimeve; ulje të kontaktit fizik; konsultim gjithëpërfshirës dhe transparencë më të madhe mbi taksat dhe vendimmarrjen vendore.
Gjatë këtij takimi u theksua se Kadastra Fiskale nuk funksionon, pavarësisht bazës ligjore ekzistuese.
Rekomandimet për vitin 2026 përfshijnë: vendosjen e treguesve të matshëm të performancës për shërbimet bashkiake; harmonizimin e shërbimeve vendore me ato qendrore; shkëmbim të detyrueshëm të të dhënave midis DPT-së dhe bashkive; mbështetje për SME-të në adoptimin e shërbimeve digjitale.
Klima e investimeve
Anketa kombëtare me 188 subjekte për periudhën 2015-2025 evidenton disa zhvillime pozitive, por edhe sfida të rëndësishme.
Administrata Tatimore
1. Përmirësim në komunikim dhe profesionalizëm.
2. Raportim më i qartë tatimor.
3. Rritje e vendimeve të apelimit në favor të bizneseve.
4. Sistemet digjitale vlerësohen dukshëm më mirë nga viti 2022 por subjektet ende kerkojne nje kontakt me telefon
TVSH – Rimbursimi
1. 90% e kompanive që aplikojnë e marrin rimbursimin.
2. Rritje e rimbursimit automatik.
3. Vetëm gjysma e bizneseve aplikojnë, për shkak të perceptimit mbi mungesën e besimit.
Informaliteti
1. 7 në 10 kompani e perceptojnë si të lartë dhe të qëndrueshëm.
2. Format kryesore: shmangia e taksave dhe puna në të zezë.
3. Faktorët nxitës: korrupsioni dhe konkurrenca e pandershme.
Integrimi në BE
1. Vetëm 33% e bizneseve kanë informacion të mjaftueshëm mbi Agjendën e Reformave.
2. 70% e shohin integrimin si pozitiv.
3. Vetëm 30% presin rritje të eksporteve pa mbështetje shtesë.
4. Shpresojnë më tepër gjithëpërfshirje në konsultim


