Është gjetur sot, 1 dhjetor, makina e shkrumbuar që dyshohet se u përket autorëve të vrasjes së biznesmenit në Elbasan.
Edmond Mëhalla u ekzekutua me tre plumba pistolete (dy në kokë dhe një në gjoks) mbrëmjen e 30 nëntorit teksa udhëtonte me automjetin e tij.
Bëhet me dije se plumbat janë lëshuar nga një mjet tip ‘Audi” i zi.
Viktima, ishte pronar i karburantit “Xhaxhi Oil” dhe një rrjeti taksish në qytetin e Elbasanit.
Sipas deklarimeve të para dhe kamerave të sigurisë, 43 vjeçarit iu bë atentat sapo doli nga zyra e karburantit.
Karburanti i Mëhallës ndodhet në dalje të qytetit, në rrugën që të çon drejt Librazhdit.
Ajo që dihet deri më tani është se biznesmeni ka qenë i proceduar për armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
“Rreth orës 20:35, është marrë njoftim se në lagjen “Emin Matraxhiu”, brenda në një automjet të parkuar, është gjetur, i vrarë me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H., 43 vjeç. Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Policisë dhe janë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit, dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve. Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njoftoi dje Policia për ngjarjen e rëndë.


