Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Stolen Line”, i cili kishte në fokus goditjen e një rrjeti të trafikimit të automjeteve të vjedhura nga Italia drejt Shqipërisë. Si rezultat i hetimeve, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetas të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari kriminale.
Sipas DVP Tiranë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme kishin siguruar informacione për dy automjete luksoze që qarkullonin në kryeqytet dhe që dyshohej se ishin trafikuar nga Italia. Pas organizimit të operacionit, u bë e mundur lokalizimi dhe sekuestrimi i mjeteve.
Në kërkim janë shpallur:
G. G., 34 vjeç, i dyshuar për trafikimin e automjetit tip Lynk&Co, si dhe për falsifikimin e dokumentacionit me qëllim shitjen dhe targimin e tij në Shqipëri.
-S. S., 40 vjeç, i dyshuar për trafikimin e automjetit tip Benz GLC, si dhe për falsifikimin e dokumenteve dhe ndryshimin e numrit të shasisë së mjetit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet luksoze, Benz GLC dhe Lynk&Co, të prodhuara vitet e fundit, me një vlerë totale rreth 110 mijë euro.
Autoritetet bëjnë të ditur se, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për të zbardhur raste të tjera të mundshme të trafikimit të automjeteve që mund të jenë kryer nga të njëjtët shtetas. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


