Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur dërgimin për gjykim të çështjes penale ndaj ish-kryetares së komanduar të Bashkisë Tropojë, Zyra Islamaj, dhe ndërtuesit Rr.G, të akuzuar për korrupsion.
Vendimi u mor gjatë seancës paraprake të zhvilluar më 25 nëntor 2025, nën drejtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, kërkesa për kalimin e çështjes në gjykim është paraqitur më 29 shtator 2025. Prokuroria ngarkon ndërtuesin me akuzën e “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ish-kryetarja Zyra Islamaj akuzohet për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, të dyja parashikuar nga nenet përkatëse të Kodit Penal.
Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur që çështja të gjykohet nga një trup tjetër gjykues i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë. Vendimi është përfundimtar dhe ndaj tij nuk lejohet ankim.
Sjellim ndërmend se SPAK, gjatë hetimeve arriti në përfundimin se Zyra Islamaj, gjatë kohës që ushtronte detyrën e kryetares së komanduar të Bashkisë Tropojë, dyshohet se ka tentuar të favorizojë përmes një procedure tenderimi ndërtimin e një ure që do t’i shërbente interesave të familjarëve të saj. Hetuesit kanë konstatuar se ajo ka ndërhyrë te ndërtuesi Rr.G, me qëllim ngritjen e urës mbi përroin që kalon pranë banesës së motrës së saj.


