Çështjet e pazgjidhura dypalëshe mes shteteve anëtare të BE-së dhe atyre jo-anëtare duhet të zgjidhen në mënyrë dypalëshe.
Ato nuk duhet të përdoren si levë për të bllokuar procesin e pranimit të vendeve kandidate për anëtarësim, thuhet në Raportin mbi Strategjinë e Zgjerimit, të diskutuar në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian.
Gjatë prezantimit të dokumentit para eurodeputetëve, raportuesi Petras Auštrevičius deklaroi se BE-ja duhet të ketë një strategji për zgjerimin, që ky proces të mos mbahet peng nga asnjë shtet anëtar.
“Unë e shoh evropianizimin si një platformë të pashmangshme, në të cilën vendet evropiane mund të kontribuojnë, të përfitojnë dhe të jetojnë së bashku në planin afatgjatë.
Zgjerimi është veçanërisht i rëndësishëm në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës dhe përpjekjeve të Rusisë për të krijuar përçarje në Evropë dhe për të ushtruar ndikim mbi disa vende evropiane, duke i bërë ato më të dobëta dhe “të varura nga Perandoria Ruse.
BE-ja duhet të ruajë funksionalitetin e procesit të pranimit dhe për këtë arsye duhet të shkojë drejt vendimmarrjes me shumicë të kualifikuar dhe ta bëjë këtë në kohë dhe në mënyrë transparente“, u shpreh Auštrevičius.
Sipas eurodeputetit liberal lituanez Auštrevičius, vendet kandidate për anëtarësim i nënshtrohen një procesi transformimi, përshtatjeje dhe reformash gjithëpërfshirëse në rrugën e tyre drejt BE-së, dhe progresi i secilit duhet të vlerësohet bazuar në meritat individuale.
Nga ana tjetër, sipas eurodeputetëve, vendet e përfshira në procesin e zgjerimit kanë nevojë për përshtatshmëri praktike, integrim individual dhe mbështetje financiare strukturore.


