Reshjet intensive dhe prurjet e shumta krijuan situatë të vështirë gjatë natës në bashkinë e Pogradecit.
Në një postim në rrjetet sociale bashkia e Pogradecit informoi se ekipet kanë punuar gjatë gjithë natës pranë lumenjve Vërdovë dhe Buçimas për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përkeqësime të mëtejshme.
Sipas bashkisë së Pogradecit, janë evidentuar disa situata emergjente, ku është ndërhyrë për largimin e ujit nga disa banesa në zonat Rëmenj dhe Guras.
Si pasojë e prurjeve të shumta është dëmtuar ura mbi lumin e Vërdovës dhe në një banesë ka depërtuar uji, ndërsa po vijohet me pastrimin.
Rrëshqitje dherash janë regjistruar në Çerravë, Dardhas dhe Proptisht, ku po vijon puna për pastrimin dhe normalizimin e qarkullimit.
Bashkia shprehet se fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar.
Ekipet mbeten në terren dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë për çdo thirrje që vjen nga banorët.


