Ish-kryeministri Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni për vrasjen e 4 protestuesve në 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë.
Berisha mbërriti në SPAK rreth orës 09:00 dhe u mor në pyetje për rreth 2 orë nga prokurorët e çështjes.
Pas daljes nga SPAK, Berisha theksoi se u pyet se çfarë ndodhi më 21 janar, ndërsa shtoi se ishte ajo ishte “protesta më e dhunshme në historinë e vendit”. Sipas Berishës, kishte axhendë për dhunë. Berisha tha ndër të tjera “nuk është qëlluar nga brenda kryeministrisë” dhe se “kjo është gënjeshtër me bisht”.
Berisha shtoi se thirrja e tij në SPAK për dëshmi është procedurë normale, por u përdor për “propagandë socialiste”.
“Thirrja e një njeriu për të dëshmuar në këtë institucion është procedura më normale, por ama nuk është procedurë publike”, tha Berisha.
Sipas Berishës, SPAK është “një institucion banal i propagandës socialiste”.
“Një procedurë është krejtësisht diskrete, që nuk ka asnjë lidhje as me mediat, as me publikun, ua jep përpara medieve përpara se të më japë mua”, u shpreh Berisha.
Kjo është hera e parë që Berisha do të pyetet nga SPAK për “21 Janarin” dhe rolin e tij në këtë çështje që tashmë është në hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Në 30 tetor SPAK mori në pyetje ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha për ngjarjen e 21 Janarit.
Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.
Në nëntor të vitit 2023 Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, e cilësoi 21 Janarin si “krim shtetëror” dhe që duhet hetuar si i tillë.
Pas urdhrit të Gjykatës së Lartë, në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.


