Reshjet e dendura gjatë mëngjesit kanë shkaktuar probleme në Kurbin, ku 60 banesa janë përmbytur, 50 në fshatin Zhej dhe 10 në Milot. Banorët shprehen se dëmet janë të mëdha dhe se kanalet nuk janë pastruar prej vitesh.
“Dëme ka shumë, në makina dhe në shtëpi e lokale. Ka një metër ujë brenda në lokal. 30 vjet nuk është pastruar kanali”, tha një banor. “Uji një metër në lokal, sepse ka pasur reshje të shumta. Kanalet nuk janë pastruar prej vitesh”, deklaroi një tjetër banor.
Kryebashkiakia e Kurbinit, Majlinda Cara, tha se reshjet kanë qenë shumë intensive brenda pak orësh.
“Ne po ndërhyjmë në fshatin Zhej, për shkak të prurjeve të menjëhershme nga malet. Problem ka qenë argjinatura në lumin Droj, ku po ndërhyjmë. Priten reshje sërish dhe situata është nën monitorim, sepse për ne prioritet është jeta e njerëzve”, u shpreh Cara.
Ndërkohë, lumi Droj po krijon probleme nga prurjet e larta, ndërsa në Skuraj, lumi Vinjoll rrezikon rreth 50 banesa.
Autoritetet vijojnë punën në terren për të menaxhuar situatën.


