Tim Cook, shefi ekzekutiv i Apple, është gati të japë dorëheqjen. Burime të shumta për Financial Times kanë thënë se kompania “ka përforcuar” përpjekjet për të planifikuar zëvendësimin e tij.
Sipas tyre, bordi i drejtuesve dhe menaxherëve të lartë të Apple po kërkojnë një kandidat që të marrë vendin e Cook si kreu më i lartë i kompanisë.
Nuk ka gjasë që të caktohet një CEO i ri para fundit të janarit, kur Apple të njoftojë rezultatet e tremujorit të fundit.
John Ternus, i cili është zëvendëspresidenti aktual i prodhimit të pajisjeve hardware, përflitet të marrë vendin e Cook, por kjo s’është vendosur ende.
Ternus nisi punë në Apple në 2001 në ekipin e dizenjimit të produkteve. Në 2013, ai u bë zëvendëspresident i pajisjeve hardware ku kujdesej për AirPods, Mac dhe iPad. Në 2021, ai u ngrit në detyrë si zëvendëspresident i lartë dhe duhej të zhvillonte Apple Watch.
Puna e parë e Tim Cook në Apple ishte në vitin 1998 si zëvendëspresident i lartë për veprimtaritë globale. Në 2007, ai u rrit në detyrë për udhëheqjen e operacioneve.
Në 2011, ai u vendos si CEO pas përkeqësimit të shëndetit të Steve Jobs. Disa muaj më vonë, Jobs dha dorëheqjen dhe vdiq nga kanceri në pankreas.
Nën udhëheqjen e Tim Cooks, vlera e Apple në treg është rritur nga 350 miliardë dollarë në 2011 në 4 trilionë dollarë sot. Megjithatë, kompania ka mbetur pas krahasuar me Alphabet, NVIDIA dhe Microsoft.
Financial Times shkruan se performanca e tanishme nuk lidhet me dorëheqjen e mundshme të CEO-s. Këtë muaj, ai mbushi 65 vjeç, çka mund të ketë ndikuar në vendimin për t’u larguar.
Apple po refuzon t’u përgjigjet pyetjeve lidhur me dorëheqjen e Tim Cook.


