Policia e Shkodrës ka zbuluar një tjetër ambient që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Gjatë kontrolleve të policisë është zbuluar një magazinë e paligjshme e mbushur me bimë narkotike.
Për këtë arsye janë arrestuar në flagrancë tre persona dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Të arrestuar ka edhe në radhët e OSHEE-së. Dy punonjës janë vënë në pranga, ndërsa pesë të tjerë janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre.
“Në vijim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e specializuara ne DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, të mbështetura nga Forca Operacionale dhe “Shqiponja”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.
Në këtë kuadër u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 3”. Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit P. N., 27 vjeç, banues në fshatin Torovicë; S. Gj., 24 vjeç, banues në fshatin Mjedë; dhe A. B., 58 vjeç, banues në Shkodër.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç, banues në Shkodër. Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit G. A., 63 vjeç, dhe B. C., 33 vjeç, të dy banues në Shkodër, dhe nisi procedimi penal për shtetasit G. Z., 36 vjeç; I. Rr., 34 vjeç; D. T., 54 vjeç; D. P., 32 vjeç; D. S., 39 vjeç; të gjithë banues në Shkodër dhe të gjithë punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim”, njoftoi policia.
Uniformat blu njoftuan se në magazinë u gjetën 119 bimë të dyshuara kanabis, mbi 2 kilogramë kanabis i tharë dhe 284 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e drogës.
Ndërkohë në banesën e të shpallurit në kërkim u gjetën një pistoletë, municion luftarak, disa dokumente italiane dhe një palë targa angleze që dyshohen si të falsifikuara, tre byzylykë, një unazë, një orë dore Rolex, një DVR, një fenelinë si ato të policisë, një këllëf arme dhe rripa për mbajtjen e armës, si dhe një shumë monetare në paund.
Siç njoftoi policia e Shkodrës, me zbulimin e kësaj magazine, bëhen gjashtë ambientet e kapura nga autoritet që janë përdorur për këtë qëllim kriminal.


