Kina u ka kërkuar qytetarëve të saj të mos udhëtojnë në Japoni dhe ka thirrur ambasadorin e vendit në Pekin për shkak të komenteve të kryeministres Sanae Takaichi mbi Tajvanin, sipas BBC.
Kina dhe Japonia janë përfshirë në një mosmarrëveshje verbale në rritje këtë javë, e nxitur nga sugjerimi i Takaichi se Japonia mund të përgjigjet me forcën e saj vetëmbrojtëse nëse Kina sulmon Tajvanin.
Ministritë e Jashtme të të dy vendeve kanë bërë protesta serioze ndaj njëra-tjetrës.
Një diplomat kinez bëri gjithashtu një koment që disa e interpretuan si një kërcënim ”për prerjen e kokës së Takaichit”.
Grindja prek armiqësinë historike midis Kinës dhe Japonisë si dhe “paqartësinë strategjike” të gjatë mbi sovranitetin e Tajvanit të vetëqeverisur.
Tensionet aktuale u ndezën pas një takimi parlamentar në Japoni, të premten e kaluar, kur një ligjvënës i opozitës e pyeti Takaichin se cilat rrethana përreth Tajvanit do të konsideroheshin si një situatë kërcënuese për mbijetesën për Japoninë.
“Nëse ka anije luftarake dhe përdorimi i forcës, pavarësisht se si mendoni për këtë, kjo mund të përbëjë një situatë kërcënuese për mbijetesën”, u përgjigj Takaichi.
Një “situatë kërcënuese për mbijetesën” është një term ligjor sipas ligjit të sigurisë të Japonisë të vitit 2015, që i referohet kur një sulm i armatosur ndaj aleatëve të saj përbën një kërcënim ekzistencial për Japoninë.
Në një situatë të tillë, forcat e vetëmbrojtjes së Japonisë mund të aktivizohen për t’iu përgjigjur kërcënimit.
Vërejtjet e Takaichit shkaktuan zemërim të menjëhershëm nga Pekini, me Ministrinë e Jashtme të Kinës që i përshkroi ato si “të shëmtuara”.
Të martën, Takaichi refuzoi të tërhiqte vërejtjet e saj, të cilat i mbrojti si “në përputhje me qëndrimin tradicional të qeverisë”.
Megjithatë, ajo vuri në dukje se do të ishte e kujdesshme në komentimin e skenarëve specifikë nga tani e tutje.
Pastaj, të enjten, Ministria e Jashtme e Kinës postoi në japonisht dhe anglisht në llogarinë e saj X, duke e paralajmëruar Japoninë të “ndalojë së luajturi me zjarrin” dhe shtoi se do të ishte një “akt agresioni” nëse Japonia “guxon të ndërhyjë”.
Zëvendësministri i Jashtëm kinez Sun Weidong thirri gjithashtu ambasadorin japonez në Kinë po atë ditë për të shprehur pakënaqësinë.
Sun i quajti komentet e Takaichi-t “jashtëzakonisht të gabuara dhe të rrezikshme” dhe kërkoi që Japonia t’i tërheqë komentet.
Ambasadori i Japonisë shpjegoi se qëndrimi i tyre ndaj Tajvanit “nuk ka ndryshuar” dhe hodhi poshtë komentet e Pekinit.
“Është qëndrimi i vazhdueshëm i qeverisë japoneze që ne shpresojmë për një zgjidhje paqësore të çështjeve që rrethojnë Tajvanin përmes dialogut”, tha ai gjatë konferencës së përditshme për shtyp.


