Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot se opozita, si forcë politike që pretendon të qeverisë, arratiset nga zgjedhjet sepse nuk ka vizion dhe ide.
Rama tha gjatë dëgjesës së sotme me qytetarët e njësisë Nr.3 në Tiranë se askush nuk e ka idenë se çfarë pune bëhet për të marrë mbështetjen e njerëzve. Sipas Kryeministrit, kush thotë që Shqipëria është më keq, më e korruptuar, më e varfër, nuk ka asnjë shans që të jetë as pjesë e shumicës, as të mendojë apo të kuptojë si shumica.
“Unë jam i bindur jo thjesht nga opinoni që kam krijuar nga kjo eksperiencë, por edhe nga anketimet që ne bëjmë që shumica nuk na voton se ne jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. Të tjerët janë kashtë e koq* që nuk i duhen dreqit”, tha ai.
Kryeministri Rama e konsideroi të pandodhur më parë në historinë e politikës, që një parti, një forcë politike që pretendon të jetë alternativë qeverisëse të arratiset nga zgjedhjet dhe të fshihet pas disa pseudo të pavarurve.
“Madje për kryeqytetin të nxjerri një aktor që luan rolin e kandidatit të pavarur. Kjo është një sfidë më shumë për ne, se kur ke përballë rivalë, kundërshtarë që nuk të sfidojnë me argumente, me mençuri, me vizion, me aftësi, po të sfidojnë me muskultarë, me sharje, fyerje, dhunë, është shumë e vështirë që t’i të sfidohesh dhe të përmirësohesh. Duhet të gjesh forca brenda vetes”, tha Rama.
“BE nxori përpara pak ditësh një dokument lidhur me vendet e Ballkanit sa i përket digjitalizimit të shërbimeve publike. Shqipëria e kishte 121% plotësisht brenda BE dhe është në pjesën e sipërme të klasifikimit sa i përket shërbimeve publike digjitale. Kjo do të thotë shërbim i drejtpërdrejtë pa dikë në mes, zero korrupsion”, pohoi Kryeministri Rama.


