Një kamion u përplas në një treg në Korenë e Jugut të enjten e 13 nëntorit, duke përshkuar rreth 150 metra përgjatë një kalimi të mbushur me stenda, përpara se të ndalonte.
Si pasojë e këtij incidenti, dy persona humbën jetën dhe 18 të tjerë u plagosën.
Ngjarja e rëndë ndodhi në një treg në Bucheon, rreth 20 kilometra në perëndim të kryeqytetit Seul, tha një zyrtar i zjarrfikësve gjatë një deklarate televizive.
Dy persona që kishin pësuar arrest kardiak u konfirmuan më vonë të vdekur. Sipas zyrtarit të zjarrfikësve, kamioni fillimisht u tërhoq mbrapsht për rreth 28 metra, përpara se të përshpejtonte drejt tregut të hapur.
Drejtuesi i mjetit fajësoi një përshpejtim të papritur për aksidentin, tha ai.
Zyrtarët policorë konfirmuan se drejtuesi nuk ishte nën efektin e alkoolit gjatë testimit. Autoritetet do t’ia dorëzojnë mjetin hetuesve për të përcaktuar shkakun e përplasjes.
Pamjet nga kamerat e sigurisë të transmetuara në televizionin korean treguan blerësit duke kryer aktivitetet e tyre në tregun e hapur, përpara se një kamion blu të përshpejtonte përgjatë kalimit me stenda dhe të përplasej në një nga dyqanet.
Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, i cili është në të 60-at, dhe ai po merret në pyetje.


