Prokuroria e Tiranës ka lëshuar sot, 4 nëntor, tetë masa sigurie për punonjës të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), si dhe administratorin e një kompanie farmaceutike, pas hetimeve për falsifikim dokumentesh dhe fshehje të të ardhurave.
Hetimet zbuluan se medikamente si Foster dhe Trimbow janë përdorur në një skemë fiktive shit-blerjeje për të përfituar miliona lekë nga fondet e rimbursimit të FSDKSH-së.
Administratorët e kompanisë farmaceutike që po hetohet dyshohet se kanë krijuar vetë dy distributues (shpërndarës barnash), të cilët kanë deklaruar sasi medikamentesh të pabazuara në blerje reale, duke falsifikuar inventarin dhe faturat.
Kjo skemë ka përfshirë edhe punonjës të FSDKSH-së, të cilët duhet të kontrollonin sasinë reale të barnave, por nuk e bënë këtë detyrë, duke lejuar që fondet publike të shkonin në mënyrë të paligjshme tek kompanitë e përfshira.
Nga hetimet rezulton se janë deklaruar mijëra kuti të medikamenteve, teksa nuk është kryer asnjë blerje reale.
Kështu kompania farmaceutike ka lëshuar faturë fiktive ndaj farmacive, duke përfituar nga rimbursimet e FSDKSH-së.
Masa sigurie për tetë të dyshuarit janë:
Arrest në burg për administratorin F.M. dhe drejtorin e FSDKSH, S.Z.
Ndalim daljeje jashtë vendit dhe detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore për disa punonjës të FSDKSH.
Pezullim nga detyra për punonjës të tjerë të përfshirë në falsifikime


