15.5 C
Tirana

Uragani Melissa i afrohet Xhamajkës, të paktën tre të vdekur

Më datë:

Të paktën tre persona kanë vdekur në Xhamajkë, teksa zyrtarët po i bëjnë thirrje publikut që të zhvendosen në zona më të larta dhe të strehohen, para se uragani Melissa të godasë vendin të martën.

Stuhia e kategorisë pesë – që mund të jetë më e fuqishmja që ishulli është përballur në histori – po lëviz ngadalë nëpër Karaibe, teksa tashmë ka lënë të vrarë edhe tre persona në Haiti dhe një në Republikën Dominikane.

Qendra kombëtare amerikane për uragane raportoi se Melissa ishte ende 240 kilometra larg Kingstonit të hënën në mbrëmje, duke parashikuar se do të arrijë shpejtësi maksimale të erës në 175 milje në orë.

Shirat e mëdha, të kombinuara me erëra intensive, mund të shkaktojnë shkatërrime të mëdha sikurse uraganet më të mëdhenj, përfshirë Marian më 2017 apo Katrinan më 2005, që shkaktuan pasoja të mëdha në Puerto Riko dhe në qytetin amerikan të Nju Orllinsit.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike, të nxitura nga njeriu, po shkaktojnë stuhi masive që janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në këtë rajon.

Ministri i qeverisë lokale në Xhamajkë, Desmond McKenzie, tha mbrëmjen e së hënës se ishulli ka 880 strehimore për banorët.

“Dua t’u bëj thirrje njerëzve që të zhvendosen në zona më të larta sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holness, tha se pjesa perëndimore e ishullit është përballur me shkatërrimin më të madh.

“Nuk besoj se ka ndonjë infrastrukturë në këtë rajon që mund t’i bëjë ballë një stuhie të kategorisë pesë, prandaj duhet të ketë zhvendosje të mëdha”, tha ai për CNN.

Më pas, gjatë një konference për media ai u shpreh se evakuimi “është për të shpëtuar njerëz”.

“Unë po ju paralajmëroj. Është në dorën tuaj që ta përdorni këtë informacion dhe të merrni vendimin e duhur”, tha ai.

Një pjesë e fuqisë së uraganit Melissa buron nga ritmi i tij i ngadaltë: uragani po lëviz më ngadalë sesa shumica e njerëzve ecin. Kjo do të thotë se zonat nëpër të cilat stuhia kalon mund të përballen me kushte më të rënda për një kohë më të gjatë sesa në shumicën e uraganeve të tjera.

Qendra amerikane për uragane paralajmëroi për vërshime “katastrofike, për rrëshqitje të dheut, erëra të fuqishme që mund të ndërpresin linjat e energjisë dhe komunikimit dhe mund të shkaktojnë “dëme të mëdha në infrastrukturë”.

Parashikohet që të ketë shi deri në një metër, ndërkaq Xhamajka, Haiti, Republika Dominikane dhe Kuba po ashtu pritet të përballen me vërshime dhe rrëshqitje të dheut.

Stuhia me gjasë pritet të godasë brigjet jugore të Xhamajkës dhe niveli i ujit mund të rritet deri në katër metra dhe të shkaktohen “dallgë shkatërruese”.

Pasi të godasë Xhamajkën, uragani Melissa pritet të niset drejt Kubës mbrëmjen e së martës.

Stuhia veçse ka shkaktuar viktima.

Të hënën, zyrtarët në Xhamajkë thanë se tre persona vdiqën teksa po bëheshin gati për stuhinë.

Në Republikën Dominikane, një 79-vjeçar vdiq gjatë vërshimeve, ndërkaq një djalë 13 vjeç konsiderohet i zhdukur.

Zyrtarët në Haiti thanë se tre persona vdiqën nga kushtet e krijuara nga stuhia gjatë fundjavës.

Uragani i fundit i madh që goditi Xhamajkën ishte Beryl në korrik të vitit 2024.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

“Shqipëria përballë Një Valë Krimesh: Historia e Tre Vrasjeve që Ndryshuan Ndjenjën e Sigurisë”

DURRËS Pjetër Kodheli, 69 vjeç, mbeti i vrarë këtë të...

Ankimimi për shkarkimin nga detyra, Kushtetuesja njofton Erion Veliajn për seancën e 31 tetorit

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare publike...

Deputetët e PD-së takojnë delegacionin e BE: Zgjedhjet e 11 majit, një farsë elektorale

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi,...

Miratohen marrëveshjet e huas me BERZH dhe BEI për Korridorin VIII hekurudhor

Komisioni i Ligjeve miratoi sot dy marrëveshje të huas...