10.5 C
Tirana

SPAK me prova të reja ndaj Metës e Kryemadhit, shtyhet seanca paraprake

Më datë:

Seanca paraprake për dosjen “Meta”, e parashikuar të zhvillohej mëngjesin e sotëm, 28 tetor, në Gjykatën e Posaçme për Krimet e Rënda, është shtyrë.

Shkak për shtyrjen u bë mungesa e avokatit mbrojtës të Monika Kryemadhit.

Gjyqtarja Irena Gjoka, e cila drejtoi procesin, vendosi që seanca të mos vijojë pa praninë e mbrojtjes ligjore, duke përcaktuar një datë të re që do të njoftohet nga gjykata.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme (SPAK) paraqiti në seancë prova shtesë që lidhen me hetimet mbi veprimtarinë financiare të të pandehurve. Bëhet fjalë për një letër-porosi, të ardhur nga Shtetet e Bashkuara.

Pas vendimit, avokati i Metës, Kujtim Cakrani foli për mediat. Ai tha se do kërkohet largimi i gjyqtares Irena Gjoka, duke u shprehur se ka dhënë një vendim absurd.

“Pse organi i akuzës vazhdon hetimet, edhe pse hetimet kanë përfunduar? Prandaj ne sot kemi pasur tensione me gjykatën dhe jo me prokurorët, sepse prokurorët janë në të drejtën e tyre, edhe pse kanë shkelur ligjin, por ne e kemi me gjyqtaren. Do nisim betejën me gjyqtaren, e cila ka marrë një tjetër vendim të paprecedent tjetër, duke vazhduar pezullimin e afateve të paraburgimit për presidentin Meta, edhe pse unë kam qenë aty prezent dhe kam dashur që seanca gjyqësore të vazhdojë. Gjyqtarja ka vazhduar sërish pezullimin e afateve dhe vërteton dhe njëherë që zonja Gjoka apo Maneku nuk është gjyqtare e aftë, por e kapur politikisht dhe e shantazhueshme, sepse është nën hetim. Ne do vijojmë betejën për largimin e kësaj gjyqtareje, e cila kompromentuar që në seancën e parë këtë proces”, tha avokati.

Monika Kryemadhi, pas shtyrjes së seancës foli gjithashtu për mediat, teksa tha se akuzat e SPAK për lobimin janë pjesë e gjuetisë së shtrigave të Yuri Kim.

“Sipas SPAK, është paguar për LSI në një kompani amerikane për lobim, që LSI mos harrojmë është parti politike e një vendi hibrid në demokraci, gjë për të cilën në këtë rast, që nga ky moment, akuzat e lotimit, për të ashtuquajturën G.I.S, nuk bëjnë gjë tjetër, përveç se ngarkojnë me faj kompaninë G.I.S, sistemin financiar në SHBA, që ka pranuar që në llogarinë bankare të një kompanie lotimi amerikane të paguhen para në emër të një partie politike shqiptare. Pagesat dhe nëse janë bërë, duhet të kenë autorizimin zyrtar nga vendimet e Kryesisë së LSI-së apo të individëve të caktuar që kanë qenë, qoftë firmosësi i kontratës apo sekretari i përgjithshëm i asaj kohe, gjë që nuk ka. Do zbardhet skema e famshme e gjuetisë së shtrigave të Yuri Kim, që nuk e zgjidh dot me një bursë në Angli për xhelatin e saj që ka këtu në SPAK”, tha Kryemadhi.

Dosja “Meta” përfshin hetime për ish-presidentin Ilir Meta, Monika Kryemadhin, nënën e saj Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun. Të pandehurit akuzohen për vepra të ndryshme penale, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurive.

SPAK ka përfunduar hetimet në fund të korrikut, ndërsa në gusht dosja u dërgua për gjykim. Vendimi i ardhshëm i gjykatës do të përcaktojë nëse çështja do të kalojë për gjykim të plotë apo do të kthehet për hetime të mëtejshme.

Burime pranë procesit bëjnë me dije se përfshirja e provave të reja mund të ndikojë në dinamikën e mëtejshme të çështjes, e cila po tërheq vëmendjen e gjerë publike për shkak të profilit të lartë të të akuzuarve.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

“Shqipëria përballë Një Valë Krimesh: Historia e Tre Vrasjeve që Ndryshuan Ndjenjën e Sigurisë”

DURRËS Pjetër Kodheli, 69 vjeç, mbeti i vrarë këtë të...

Ankimimi për shkarkimin nga detyra, Kushtetuesja njofton Erion Veliajn për seancën e 31 tetorit

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare publike...

Deputetët e PD-së takojnë delegacionin e BE: Zgjedhjet e 11 majit, një farsë elektorale

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi,...

Miratohen marrëveshjet e huas me BERZH dhe BEI për Korridorin VIII hekurudhor

Komisioni i Ligjeve miratoi sot dy marrëveshje të huas...