Partia Demokratike në bashkëpunim me fondacionin Konrad Adenauer (KAS), organizojnë sot trajnimin për deputetët e rinj të Partisë Demokratike.
Gjatë trajnimit, në fjalën e tij përshëndetëse, kreu i PD-së, Sali Berisha, theksoi se në Shqipëri po shtypet pluralizmi politik. Sipas Berishës parlamenti ka dalë jashtë çdo konteksti.
“Në Shqipëri ka pluralizëm, por shtypet pluralizmi politik. Mënyra se si procedohet është absolutisht e paimagjinueshme për parlamentin. Është e vërtetë se opozita mund ta teprojë në qëndrimet e saj. Por kjo nuk do të thotë kurrë të shkatërrohet parlamenti dhe parlamentarizmi”, u shpreh Berisha.
“Dhe në fund të fundit, opozita nuk ka detyrë tjetër përveçse të qëndrojë opozitë. Është një fillim i frikshëm i parlamentit këtë vit. Është nxjerrë jashtë çdo lloj konteksti. Kurrë nuk mund të ndodhte që programi 4-vjeçar i qeverisë dhe ministrat të votohen për 28 minuta”, tha Berisha.
Berisha theksoi se zhvillimi i parlamentarizmit, konsolidimi i parlamentit është kushti më themelor i një sistemi demokratik.
Duke iu drejtuar deputetëve të rinj, Berisha tha se raporti i tyre më thelbësor është ai me zgjedhësit.
“Takimet me zgjedhësit janë të pazëvendësueshme. Asgjë nuk duhet të shkëpusë deputetin nga takimi me elektoratin e tij. Nga mbrojtja e interesave të elektoratit të tij. Nga përcjellja në parlament të zërit të atyre që kanë për zë, zërin tuaj”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij kreu i PD-së u dha edhe një mesazh deputetëve të rinj.
“Në çdo variant, kurrë nuk duhet të shkelmoni parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut. Parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut duhet të jenë thelbi i ndërgjegjes njerëzore sot. Sepse ndërgjegjja njerëzore nuk është e tanishme, ajo është hershme që kur njeriu doli nga primitivizmi”, tha Berisha.